‘My Short Words’ fiton çmimin e parë në ‘Hyjnesha në Fron’ 2018

Mbrëmë, më 27 Gusht në stacionin e trenit në Prishtinë u mbajt ceremonia përmbyllëse e edicionit të 11-të Fest Film Kosova 2018. Ceremoninë e shpalli të hapur me një fjalë hyrëse drejtoresha ekzekutive e festivalit Makfire Miftari, e cila më pas shpalosi edhe emrat fitues të festivalit të sivjemë të filmit Fest Film Kosova ‘Hyjnesha në Fron’ 2018.

Ky edicion kishte një program mjaft të pasur me kategori të ndryshme filmash – të shkurtë, të mesëm, dokumentarë, të gjatë dhe për fëmijë. Gjithashtu pjesë e këtij edicioni ishin edhe punëtori të ndryshme profesionale dhe një ekspozitë. Filmat u shfaqën në tri kinema – në vagon treni statik, në stacion të trenit dhe në kino Armata. Mbrëmja e fundit pas ceremonisë së çmimeve u pasua me një koktej për të pranishmit dhe muzikë të lehtë qytetare live nga Bashkim Gagica.

Juria në përbërje të artistëve: Edwin Mingard (filmbërës, Mbretëri e Bashkuar), Mark Norfolk (regjisor, Mbretëri e Bashkuar), Agim Sopi (regjisor, Kosovë), Kimete Berisha (publiciste, Kosovë), Naser Shatrolli (dramaturg, Kosovë) dhe Yll Berisha (regjisor, Kosovë) në kategorinë e filmave të gjatë me çmimin kryesor të festivalit e shpërblyen filmin me regjisor dhe produksion turk ‘My Short Words’ (Fjalët e mia të shkurtëra)..

Çmimet tjera në këtë kategori janë si vijon:

Regjisori më i mirë:
Anders Emblem për regjinë në filmin ‘Hurry Slowly’

Skenari më i mirë:
Geidre Beinoriute për skenarin e filmit ‘Breathing Into Marble’

Aktori më i mirë në rol kryesor:
Kim Myeong-Guk në ‘Dad Is Pretty’

Aktorja më e mirë në rol kryesor:
Airida Gintautaite në ‘Breathing Into Marble’

Çmimi special për kinematografi:
‘Haldaa’ me regjisor Enamul Haq Somel

Çmimi Special i Festivalit ‘Hyjnesha në Fron’:
‘Hippopotamus’ me regjisor Edward Palmer

Ndërsa çmimin e parë në kategorinë e filmit të metrazhit të shkurtë e fitoi filmi grek ‘Maniera Greca’. Çmimi special në këtë kategori shkoi për filmin gjerman ‘Terrier’, ndërsa ‘Forouzan’ nga Irani fitoi çmimin e jurisë.

Përshkrim i shkurtë i filmit fitues ‘My short Words’:

Në një ditë të nxehtë të verës, tre fëmijë që jetojnë në një fshat të varfër anadollak shkojnë në një gropë të burimit, por e shohin se është shumë e vogël për të notuar. Ata gjithmonë kanë dëshiruar të notojnë në liqenin e madh që mund të shihet nga fshati. Dhe duke shijuar pamje nga liqeni nga distanca, ata vendosin të shkojnë atje me biçikletë. Megjithatë, ky udhëtim i rrumbullakësuar nuk do të jetë aq i lehtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *