‘Breathing Into Marble’ hap edicionin e XI-të të Film Fest Kosova ‘Hyjnesha në Fron’ 2018

Sot, më 23 Gusht në Prishtinë, me shfaqjen e filmit lituanez ‘Breathing Into Marble’ nis edicioni i XI-të i festivalit ndërkombëtar të filmit ‘Hyjnesha në Fron’. Ceremonia hapëse paraprakisht ka rezervuar për publikun edhe një performancë muzikore nga duoja Makfire Miftari (Vokal) dhe Taulant Rruci (Violinë). Ngjarja do të zhvillohet gjatë pesë ditëve të ardhshme duke shpalosur tek publiku ofertën e pasur artistike të këtij viti me llojllojshmërine e prodhimeve filmike nga kineastë të vendeve të ndryshme dhe përfundon me natën përmbyllëse të 27 Gushtit kur edhe ndahen çmimet fituese.

‘Hyjnesha në Fron’ është i njohur për natyrën e tij mobile dhe të veçantë, i organizuar deri më tani në nëntë qendra tjera kosovare dhe me veçantinë që këtë vit do të mbahet në stacionin e vjetër të trenit dhe në Kino Armata në Prishtinë. Treni do të jetë me një vagon statik të improvizuar në kinema, i rrethuar me tela me gjemba për të simbolizuar kufizimin e lirisë së lëvizjes.

Gjatë pesë ditëve të festivalit filmat do të jenë në konkurrencë për statujën ‘Hyjnesha në Fron’, si çmimi kryesor i festivalit. Filmat që do të shfaqen i takojnë kategorive të filmit të shkurtë, të mesëm dhe të gjatë. Përveç shfaqjes së filmave, do të organizohen edhe punëtori profesionale, edukative dhe promovuese me figura prominente artistike vendore dhe ndërkombëtare. Një grupim tjetër filmash janë ata të kategorisë ‘speciale’ të cilët do të jenë jashtë konkurrencës.

Një ditë e festivalit (25 Gusht) do t’i dedikohet fëmijëve në kuadër të segmentit për fëmijë HYJNESHA KIDS. Filmat për fëmijë do të shfaqen në tren dhe janë të klasifikuar në kategorinë e filmave artistik për fëmijë, dokumentarë/shkencorë dhe të animuar. Në secilën nga këto kategori poashtu do të ketë punëtori edukative dhe praktike për më të vegjëlit.

Filmat që do te shfaqen janë përzgjedhur nga komisioni i festivalit mbi baza konkurruese dhe procedurë transparente, ndërsa fituesit e kategorive dhe çmimeve të ndryshme do të përzgjedhen nga juria profesionale në përbërje të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Programi i festivalit mund të qaset në vijim:
Programi i festivalit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *